Durim Gerguri
Feja dhe Shkenca

Pasardhesit e vërtetë të helenëve të dikurshëm, janë shqiptarët e sotëm.

Shkencërisht, nga pikëpamja antropologjike, shqiptarët e sotëm janë dolikocefalë si helenët e dikurshëm, kurse grekët e sotëm janë brakicefalë, përzierje kelto-sllave. Në fakt, këtë konkluzion të filozofit francez Alfred Fouillée (maj 1898), Faik Konica e kishte paraqitur me argumente të fuqishme historike që një vit më parë në shkrimin e tij te “Albania” famëmadhe, “Legjenda qesharake” (mars 1897). Çka bie dukshëm këtu në sy është fakti se shkrimet e “Albanias” të Konicës jo vetëm tërhiqnin vëmendjen e publikut të huaj të kohës, por edhe po bëheshin objekt studimi nga personalitete të shquara të shkencës, për vetë origjinalitetin që paraqisnin dhe sidomos e në radhë të parë për forcën e tyre konkluduese.`



Përfaqësuesit e vërtetë të helenëve të dikurshëm janë shqiptarët e sotëm

Z. Alfred Fouillée, filozofi i shquar, ka botuar te “Revue des Deux Mondes” e 1 majit (1898) një “skicë psikologjike” rreth popullit grek. Pavarësisht se ç’vlerë ka mendimi i tij, z. Alfred Fouillée është para së gjithash një “universitar”, domethënë i përket asaj klase njerëzish që kanë për zanat të mburrin për çdo gjë grekët, dhe jo pa arsye për më tepër, sepse pa grekët, bota pa dyshim nuk do të ekzistonte, dhe sidomos disa qindra mijë pedantë të përhapur në krejt sipërfaqen e tokës do ta shihnin veten në siklet për të gjetur një punë tjetër. Por duhet t’i jemi mirënjohës Z. Alfred Fouillée që - krahas mendimeve dhe fjalive që prej kohësh i përkasin fushës publike dhe mund të gjenden kollaj në një numër të madh librash shkollore - vuri në dyshim, parashtroi dhe u përpoq të zgjidhë këtë çështje: “Grekët e ditëve tona, a janë pasardhësit e bashkëkohësve të Leonidhit dhe Miltiadhit? Dhe nëse kjo lidhje mohohet, a janë megjithatë trashëgimtarët, për një pjesë të ndjeshme, të cilësive dhe të metave të paraardhësve të tyre?” Për këtë çështje, dhe le të kujtojmë se me çfarë zelli të përligjur ne e kemi trajtuar tashmë para një viti po këtu, Z. Alfred Fouillée sjell disa vëzhgime të reja:

“Një gjë është e sigurt, që treguesi cefalik (raporti i gjerësisë me gjatësinë e kafkës), që është i një rëndësie madhore nga pikëpamja e racave, është ngritur në Greqi, nga 76 në 81; numri i doliko-biondëve, madje edhe i doliko-brunëve, është pra, zvogëluar tek ata. Ky fakt tregon një ndryshim të thellë të tipit grek; Greqia sot është brakicefale, dhe rrjedhimisht, nga pikëpamja antropologjike, ajo është në shumicën e saj “kelto-sllave”.


Megjithatë, kemi parë se hasen ende në tërë anët, por në gjendje të shpërndarë (nënvizimi i F.K.), tiparet e ndryshme të tipit grek klasik: hunda e drejtë, sytë e mëdhenj të kaltër, leshrat e bukura verdhane. Z. E. Reclus, jo pa shtuar njëfarë doze simpatie, rinjeh tek beoti i sotëm të njëjtën ecje të rëndë të dikurshme “që e bënte atë një objekt talljeje midis grekëve”; athinasi i ri i duket atij sikur ka “zhdërvjelltësinë, hijeshinë dhe pamjen e guximshme”që i njihej në Lashtësi. Gratë e Athinës, sipas Z. Gaston Deschamps, më shumë ngjajnë me figurina nga të Tangarasë, se sa me Venusin e Milos, “me një fije egërsie ngacmuese” që të kujton fqinjësinë e racës shqiptare. Përgjithësisht,“flokët e tyre janë tërbimshëm të zinj, kurse sytë u ndrisin nën velin e qerpikëve të gjatë; ngjyrën e kanë të marrtë, lehtas të zbehtë”.


Tek parashtron këto vërejtje, Z. Alfred Fouillée, si i penduar, rifutet brenda formatit të “Revue des Deux Mondes”, domethënë, nis ta mbështjellë mendimin me të tilla perçe, ta dobësojë me të tilla kufizime, sa kjo mënyrë të shkruari - e quajtur me shije të hollë - e zhvesh krejt artikullin e tij nga çdo përmasë rëndësie dhe nga çdo konkluzion; është për të ardhur keq që Skica Psikologjike përfundon në mënyrë të papritur dhe të denjë për konkluzionin e një kandidati për deputet: “besim në fatet e veta”, “mobilizim i arrirë me shpejtësi”, “rezervistë që i përgjigjen gati të gjitha thirrjeve”, “çështjet e drejtësisë dhe administrimi i saj”, “duke pranuar tërë sakrificat”, etj. Por të gjitha këto janë në këtë mes hollësira e garnitura. E rëndësishme është që Z. Alfred Fouillée ka prekur një çështje të lartë historie e psikologjie dhe se, pavarësisht që ne prisnim me të drejtë më shumë nga filozofi i ideve-forca, ai dha megjithatë një shembull fisnik dyshimi për ata që pohojnë me një siguri të vajtueshme se Grekaja e ditëve tona rrjedh nga gjaku i Praksitelit, Platonit dhe Sofokliut.

Z. Alfred Fouillée duket për më tepër jo larg të besojë se përfaqësuesit e vërtetë të helenëve do të ishin më mirë të themi shqiptarët. “Në fund të fundit, thotë ai, nga të gjitha dokumentet që përmbledh shkenca bashkëkohore mund të arrihet në përfundimin se Greqia e lashtë shfaqte një karakter të dyfishtë: ajo ishte gati e tëra me kafkë të zgjatur; tabani ishte doliko-brun, por me një përmasë të konsiderueshme doliko-bjond”. Mirëpo “shqiptarët, tek të cilët tipi grek me sa duket është ruajtur më mirë, janë dolikocefalë”./ Albania 12, prill-maj 1898.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free