Durim Gerguri
Feja dhe Shkenca

Bibla,kurani dhe shkenca

BIBLA KUR'ANI DHE SHKENCA



Dr. Maurice Bucaille

Përktheu nga frëngjishtja

Azra Begiç, Përktheu nga boshnjakishtja
Nazim Juniku, ecc, Bashkëpuntorë: Prof. Agim Jaka ,
Përshtati: Nazim Juniku, ecc, Korrektor dhe lektor: Admir Banaj, Këshilltarë të përkthimit:

Dr. Prof. Rasim Bejtullahu

- Kur'ani dhe shkenca bashkëkohore, - Krijimi i qiejve dhe i tokës, - Astronomia në Kur'an, - Toka ,

Bota bimore dhe shtazore, Prim. Dr. Sci. Med. Ali Iljazi, - Riprodhimi i njeriut në Kur'an. Tregimet e Kur'anit dhe të Biblës,- Kur'ani, hadithet dhe shkenca bashkëkohore. Mexhit Yvejsi: - Besëlidhja e vjetër. - Ungjijtë, - Origjinaliteti i Kur'anit






KUSHTIM





Këtë përkthim ua kushtoj lexuesve shqiptarë të cilët e çmojnë lart urtësinë, arsimin dhe diturinë, studentëve, profesorëve, shkencëtarëve dhe intelektualëve të tjerë të sotëm dhe të ardhshëm duke mbajtur parasysh gjithnjë porosinë e Zotit të Gjithësisë nga Kur'ani famëlartë:

"Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm".

(El-Asr, 1-3)





Ky libër meriton të botohet për shumë arsye. Është përkthyer dhe përshtatur në gjuhën shqipe me shumë kujdes, duke i qëndruar besnik nocioneve shkencore. Është kërkuar një punë e veçantë që me përpikmëri të zbatohen termat shkencore nga shumë fusha të shkencave nartyrore. Në këtë drejtim përkthyesi ja ka arritur plotësisht qëllimit. Stili i gjuhës së përkthimit është i lehtë dhe shumë i afërt për lexuesin dhe për këtë arsye libri fiton një vlerë të veçantë. Kështu një material shumë i ndërlikuar që trajtohet në këtë libër bëhet mjaft i qartë dhe i kuptueshëm për lexuesin.





PARATHËNIE









Veprën "Bibla Kur'ani dhe shkenca" e ka shkruar shkencëtari Dr. Maurice Bucaille kirurgu dhe profesori i Universitetit të Parisit dhe bën fjalë për studimin e tij që ka bërë mbi Librat Hyjnorë, shikuar nga aspekti i njohurive shkencore bashkëkohore. Ky është një studim objektiv i liruar nga çdo paragjykim lidhur me botëkuptimet që përmbajnë këto libra. Autori duke u përpjekur t'i korrigjojë qëndrimet jo të drejta të botës Perëndimore ndaj Kur'anit dhe Islamit, njëherazi bën thirrje për afrimin e Islamit dhe Krishtërimit, ashtu siç e kishte filluar dhe Papa Shën Pali i VI, respektivisht rezoluta e Vatikanit e vitit 1970.

Shkencëtari në fjalë në këtë vepër nuk ka gjurmuar anën poetike dhe ligjore fetare, por është thelluar në thellësinë e Librave Hyjnorë (Biblës dhe Kur'anit) në dritën e zbulimeve shkencore bashkëkohore.

Dr. Maurice Bucaille, ose Mubarak Bucaille, si autor i kësaj vepre, pasi e studioi me objektivizëm të plotë ishte mahnitur me Kur'anin dhe ligjet e Islamit. Me qëllim të studimit sa më objektiv ai e mësoi gjuhën arabe burimore të Kur'anit dhe ishte habitur kur dalloi dëshmi të panumërta që rrjedhin nga Kur'ani mbi të gjitha dukuritë e Gjithësisë, dukuri të cilat i ka vërtetuar dhe po i vërteton për çdo ditë shkenca bashkëkohore.

Gjatë katërmbëdhjetë shekujve, që nga koha e Shpalljes së Kur'anit famëlartë, e gjer më sot, Islami dhe vendosja e tij në rrjedhat bashkëkohore është paraqitur gabim. Paraqitja e Islamit dhe shpjegimi i Kur'anit në opinionin botëror është bërë në mënyrë sipërfaqësore dhe konservative, duke u shtrembëruar thelbi i tij, jo vetëm në Europë dhe Amerikë, por edhe në disa vende Islamike. Shtrembërimet e Islamit dhe të Kur'anit nga ana e Perëndimorëve, kishin për qëllim zhvlerësimin e realitetit të Kur'anit si Libër Hyjnor, duke e paraqitur në mënyrë jo objektive përmes metodave të pandershme, ndërsa në vendet Islamike si pasojë e mungesës së studimit dhe të zbatimit të mirëfilltë të Kur'anit. Për antiIslamin në Europë dhe Amerikë, autori në fjalë tha : "Gjykimet krejtësisht të gabuara mbi Islamin që janë përhapur dhe akoma përhapen në Perëndim janë pasojë e mosnjohjes së tij dhe shpifjeve sistematike. Por më e rënda nga të gjitha gënjeshtrat e përhapura janë të pavërtetat në raport me faktet, sepse nëse mashtrimet në gjykim janë të falshme, paraqitja e "fakteve" kundër të vërtetës nuk është e falshme... . Pikëpamjet shkencore mjaft të theksuara të Kur'anit, në fazën fillestare më kanë habitur thellë, sepse gjerë atëherë nuk kisha besuar se është e mundur që në një tekst të shkruar 14 shekuj më parë të gjejë aq dëshmi që u përkasin tematikave të shumëllojshme dhe absolutisht të mbështetura në indikacionet e shkencës bashkëkohore. Në fillim nuk kisha kurrëfarë besimi në Islam. Ju afrova këtij studimi të teksteve (Biblës dhe Kur'anit) pa asnjë paragjykim dhe me objektivitet të plotë... . Sikur shumica e njerëzve në Perëndim, dhe unë kam mundur t'i ruaj të njëjtat ide të gabuara dhe aq shumë të përhapura mbi Islamin deri në ditët tona. Kështu, pra, e pranoj se isha injorant i madh para se të krijoja për Islamin pikëpamje të cilat i kam sot, të drejta dhe objektive. Nëse kam pasur pak ndikim apo kam hezituar në lidhje me Kur'anin, atëherë ka qenë ajo të cilën më kishin mësuar në rininë time; kurrë nuk më flisnin për muslimanët por vetëm për muhamedanët, duke e theksuar posaçërisht atë se është fjala për fenë të cilin e ka themeluar një njeri dhe një besim i cili nuk ka kurrëfarë vlere karshi Zotit... . Në asnjë rast nuk ekziston as më i vogli kundërshtim në mes tekstit kur'anor dhe njohurive shkencore bashkëkohore mbi krijimin e Gjithësisë. Unë e përsëris vlerësimin tim se qëndrimet shkencore të Kur'anit janë dëshmi se në tekstin e tij nuk është futur dora e njeriut, por ai tekst është Shpallje Hyjnore për të cilin s'ka dyshim".

Zoti i të gjitha botëve e porositi tërë njerëzimin me këto fjalë të shenjta që i gjejmë në Kur'anin famëlartë:

"Pra, Unë betohem në atë që e shihni !"

"Edhe në atë që nuk e shihni!"

"Se me të vërtetë ai (Kur'ani) është fjalë (e Zotit) që e lexon i dërguari i ndershëm (Muhammedi a.s.)"

"Ai (Kur'ani) nuk është fjalë e ndonjë poeti, po ju nuk besoni"

"Nuk as fjalë e ndonjë magjistari po ju nuk përkujtoheni."

"(Kur'ani) Është zbritje prej Zotit të botëve!"

"Sikur të trillonte ai (Muhammedi a.s.) për Ne ndonjë fjalë!"

"Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë"

"E pastaj do t'ja këputnim atij arterien e zemrës."

"Dhe askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij."

(El-Hakka, 38-4l)

Zoti i botëve njeriun e krijoi në formën më të bukur dhe më të përsosur, duke e dalluar nga krijesat e tjera. Ju dha zgjuarsinë, vetëdijen dhe ndërgjegjen në mënyrë që ta zotërojë natyrën për nevojat e veta. Për këtë gjë njeriut i nevojitet dituria, arsimimi, dhe urtësia, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin në tërë rruzullin tokësor pa marrë parasysh si e quan ai veten: musliman apo i krishterë, europian apo amerikan, arab apo hebre. Ky bashkëpunim kërkon prej njerëzimit mirëkuptim, tolerancë, urtësi dhe dashuri, dhe jo persekutime, luftra, gjakderdhje, padrejtësi, varfëri, degjenerim moral dhe urrejtje shkatërrimtare.

Shkencëtari në fjalë e tha edhe këtë: "Në Islam feja dhe shkenca gjithnjë janë trajtuar si motra binjake... . Zbatimi i këtij parimi ka rezultuar me zhvillimin e hovshëm të shkencës me të cilën dhe vetë Perëndimi është frymëzuar (prej shek. VIII - XII erës sonë). Asgjë nuk është më qartë se mendimi i famshëm i Profetit (Muhammed a.s.:

"Kërkoje shkencën qoftë edhe në Kinë" përfundon autori.

Zoti Fuqiplotë i tha mbarë njerëzimit :

"Nuk janë të barabartë i verbëri dhe ai që sheh"

"Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët".

(Fatir, 19,28)

Shkencëtari ateist i brumosur me dituri është më i paditur se i padituri që i beson Krijuesit të vet. Shkencëtari ateist me tërë diturinë e tij prodhon dhe ndërton mjete për shkatërrimin e njerëzimit, pra i shërben djallit për karierizmin e tij, ndërsa besimtari nuk e ka atë forcë mendore të bëjë shkatërrimin e masës së gjerë. Duke e pasur këtë parasysh autori thotë: "Sa më shumë të ecim përpara me zhvillimin e diturisë, posaçërisht të asaj që i përket pafundësisë së vogël, aq më të theksuara janë argumentet në favor të ekzistimit të Krijuesit. Por në vend se para fakteve ekzistuese njeriu të pendohet dhe të përulet, ai, përkundrazi, mburret me kryelartësi. Ai beson se është i autorizuar të përdhosë tërë popujt e botës, dhe të tallë çdo ide mbi Zotin, sikurse i nënçmon të gjitha ato vërejtje me të cilat ndeshet në rrugën e vet (djallëzore), nëse ato i janë pengesë në kënaqësitë e tij (shtazarake) dhe në dëshirën e tij për dëshmi. E këtillë është shoqëria materialiste, e cila tani është në përhapje të gjerë në Perëndim... . Një fitues i Çmimit "Nobel" për mjeksi në një libër dedikuar publiku të gjerë, ka paraqitur idenë se materia e gjallë rastësisht dhe vetvetiu është krijuar prej disa pjesëve përbërëse elementare, dhe se duke u nisur nga kjo materie e gjallë primitive, në ndikimin e rrethanave të ndryshme atmosferike, janë formuar gjallesa të ndryshme për të arritur gjer te tërësia e çuditshme e cila është njeriu". Vërtet ky fitues i Çmimit "Nobel", që i takon shoqërisë materialiste, nuk është hiç më tepër se "materie e gjallë primitive". Ja pra, ky është shkencëtari ateist!

Kur'ani si Libër Hyjnor zbriti për njerëzimin si mrekulli me hipotezat e përsosura të ligjeve të Gjithësisë për brezat e ardhshëm, që ta besojnë Kur'anin si fjalë absolute të Gjithëkrijuesit. Përndryshe Gjithëkrijuesi në Kur'an tërheq vërejtjen me këto fjalë :

"Ne do t'u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre derisa t'u bëhet e qartë se ai (Kur'ani) është i vërtetë..."

(Fussilet, 53)

Me këto fjalë Zoti i botëve sikur deshi të thotë se do t'i pajisë me dituri (posaçërisht shkencëtarët) duke ua treguar shenjat e Tij në horizonte, si argumente për ata që mendojnë thellë në zbulimin e fenomeneve të shumëllojshme, por duke mos qenë në gjendje të krijojnë as edhe një mizë. Me këtë Gjithëkrijuesi e provokoi gjithë njerëzimin deri në Ditën e Kijametit, duke porositur:

Shkenca, të cilën ju do ta adhuroni përveç Gjithëkrijuesit e në të cilën do të besoni, si edhe të gjithë ata që do të merren me të, nuk do të jenë në gjendje ta krijojnë as edhe një mizë edhe nëse për këtë qëllim bashkohen të gjithë shkencëtarët e mbarë botës në të gjitha epokat që do të vijnë. Në Kur'an Gjithëkrijuesi la porosi këto fjalë të shenjta:

"...Vërtet ata që po i adhuroni në vend të All-llahut, ata nuk mund ta krijojnë asnjë mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të (krijimin e mizës)..."

(Haxhxh, 73)

Me të vërtetë njeriu është i pafuqishëm në krahasim me fuqinë absolute të Gjithëkrijuesit, sepse nuk është në gjendje ta krijojë qoftë edhe një mizë me një krah.

Studimi i Kur'anit famëlartë është studim shumëdisiplinor dhe enciklopedik, prandaj është e kuptueshme që gjatë shekujve të kaluar, komentues të ndryshëm të Kur'anit bënin gabime të pashmangshme në interpretimin e ajeteve kur'anore që kanë të bëjnë me shkencën, si pasojë e mos njohjes së shkencës. Në kohën bashkëkohore, me zhvillimin e njohurive shkencore u bë e mundshme që t'i përkthejmë dhe komentojmë me korrektësi e saktësi fragmentet e Kur'anit. Për kuptueshmërinë dhe domethënien e ajeteve që i përkasin shkencës bashkëkohore, pëveç njohjes së thellë të gjuhës arabe, patjetër nevojitet dhe dituria universale shkencore. Dallimet në përkthimet e Kur'anit në mes përkthyesve janë të dukshme, si në pikëpamjen gjuhësore, ashtu dhe në pikëpamjen shkencore. Shpeshherë ka ndodhur të shtrembërohet porosia e vërtetë e fragmentit kur'anor, edhe pse përkthimet e përkthyesve patën dhe kanë vlerë kapitale për ta përkujtuar fjalën e Zotit.

Autori francez pohon se atë që e lexojmë sot në Bibël është befasuese dhe e habitshme, që para aq shumë kundërthënieve dhe papajtushmërive, ekspertët e studimit të këtyre teksteve biblike, si dhe njohësit e argumenteve shkencore të Perëndimit, ose shtiren se nuk dinë për ato kundërthënie, ose i zbulojnë ato mangësi e provojnë t'i fshehin me ndihmën e akrobacive dialektike, pra formulave apologjetike. Prandaj një vlerë e posaçme e veprës "Bibla, Kur'ani dhe shkenca" është ajo me të cilën autori bën thirrje për mbarë njerëzimin e botës, pa dallim feje qofshin ata muslimanë, të krishterë apo hebrej për bashkëpunim. Nga ana tjetër ju bën thirrje dhe shkencëtarëve të mbarë botës që të heqin dorë nga rruga materialiste që është fatale për shoqërinë dhe njerëzimin në përgjithësi.

Kjo vepër është studim objektiv i Librave Hyjnorë, pra i Biblës dhe Kur'anit, me ndihmën e treguesve të shkencës bashkëkohore me qëllim që të kërkohet vërtetësia e Biblës dhe e Kur'anit, por njëherazi dhe të bëhet ndarja e asaj që i takon Shpalljes Hyjnore nga ajo që është prodhim i njerëzimit.

Vepra "Bibla, Kur'ani dhe shkenca" paraqet për të gjithë besimtarët e Zotit Fuqiplotë përjetimin e mendimtarit të Perëndimit, si shkencëtar i mjekësisë. Në kohën tonë, duket se po ndodhin ndryshime të mëdha në nivelin më të lartë të botës së krishterë në favor të unitetit me muslimanët. Dokumenti i Vatikanit i vitit 1970 "Orientimi për dialog në mes krishterëve dhe muslimanëve" i lëshuar pas Këshillit të Dytë të Vatikanit, dëshmoi ndryshimin thelbësor të opinionit për muslimanët. Ky dokument në formë të rezolutës e mori përgjegjësinë e pranimit që i është bërë Islamit në të kaluarën me mesazh të qartë: "të lirohemi nga paragjykimet ndaj Islamit."

Motivi më i fuqishëm që më shtyu ta bëj përkthimin e shkencëtarit francez Maurice Bucaille "Bibla, Kur'ani dhe shkenca" ishte pa dyshim dëshira ime e flaktë që edhe lexuesit shqiptar, të kenë një libër të tillë në gjuhën shqipe.


Në fund po e përmendim kontributin e çmueshëm të atyre që na ndihmuan në realizimin e këtij përkthimi të kësaj vepre kapitale në rradhë të parë Prof. Dr. Rasim Bejtullahut, pastaj Prim. Dr. Sci. Med. Ali Iliazi, Mexhit Yvejsit dhe Prof. Agim Jakës. Kontributi i tyre ndikoi në ngritjen e nivelit të cilësisë së përkthimit si në pamjen shkencore, teologjike dhe atë gjuhësore
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free