Durim Gerguri
Feja dhe Shkenca

Thirrjet e të Gjithëmëshirshmit drejtuar besimtarëve


Transmetohet nga Abdullah b. Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ka thënë: "Kur ta dëgjosh Allahun të thotë: "O besimtarë" kushtojii kujdes, o është urdhër me të cilin urdhërohesh o është ndalesë nga e cila ndalohesh."



Lexues i nderuar! Këtu kam përmbledhur thirrjet e Allahut të Gjithëmëshirshëm në Librin e Tij drejtuar neve besimtarëve. E lusim Allahun e Madhërishëm të në bëjë prej të dashurve të Tij dhe prej robërve të zgjedhur të Tij. Allahu i Lartësuar thotë:


“O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit. Dhe mos thoni për ata që vriten në rrugën e Allahut se janë të vdekur! Jo! Ata janë të gjallë, ndonëse ju nuk e ndjeni!” (Bekare, 153-154)

“O besimtarë! Hani nga ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë dhe, nëse jeni adhurues të Allahut, falënderojeni Atë! Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe mishin që nuk është therur në emër të Allahut. Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Bekare, 172-173)

“O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi për vrasje: I liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën. Ai (vrasës) që falet nga farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin me të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit. E kushdo që pas kësaj (faljes), e kapërcen kufirin, do të marrë një dënim të dhembshëm. Në ligjin e barazisë në ndëshkim ka siguri për jetën tuaj, o mendarë, në mënyrë që ju të përmbaheni!” (Bekare, 178-179)

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Bekare, 183)

“O besimtarë! Pranojeni Islamin me të gjitha rregullat e tij dhe mos shkoni gjurmëve të djallit, se ai është armiku juaj i përbetuar. E, nëse i shmangeni së drejtës, pasi ju kanë ardhur prova të qarta, atëherë dijeni se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Bekare, 208-209)

“O besimtarë! Jepni pa u kursyer nga të mirat që ju kemi dhënë Ne, para se të vijë Dita (e Gjykimit) në të cilën nuk ka shit-blerje, as miqësi, as ndërmjetësi! Jobesimtarët janë keqbërësit e vërtetë.” (Bekare, 254)

“O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer, siç vepron ai që e shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk beson në Allahun dhe Ditën e Fundit. Ai shëmbëllen me një gur të lëmuar të mbuluar me dhé, mbi të cilin bie shiu me rrebesh, duke e lënë të zhveshur. Ata nuk kanë kurrfarë dobie nga veprat që kanë bërë, se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues. Ata që shpenzojnë pasurinë e vet, për të kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe që e forcojnë veten me punë të mira, shëmbëllejnë me një kopsht të mbjellë në rrafshnaltë, në të cilin bie shi i bollshëm, andaj jep fruta dyfish. Nëse nuk i bie shi i bollshëm, i bie shi i imët që i mjafton. Allahu i sheh mirë punët që bëni ju.” (Bekare, 264-265)

“O besimtarë! Jepni pa u kursyer nga të mirat që keni fituar dhe nga ato që jua kemi nxjerrë Ne nga frytet e tokës. Mos dhuroni nga ato gjëra të pavlefshme të pasurisë suaj e të cilat ju nuk do t’i pranonit ndryshe veçse symbyllur. Ta dini se Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për çdo lëvdatë. Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (Bekare, 267-268)


“O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë. Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit. Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (Bekare, 278-281)

“O besimtarë! Shkruajeni huan që ia jepni njëri-tjetrit për një afat të caktuar. Le ta shënojë atë me drejtësi një shkrues ndërmjet jush; asnjë shkrues të mos ngurrojë që ta shënojë ashtu siç e ka mësuar Allahu. Ai le të shënojë, kurse borxhliu le të diktojë dhe le t’i frikësohet Allahut, Zotit të vet, duke mos lënë mangët asgjë nga borxhi! Në qoftë se borxhliu është mendjelehtë ose i mitur, ose i tillë që nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë saktësisht kujdestari i tij. Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i quani të përshtatshëm; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra. Dëshmitarët nuk duhet të kundërshtojnë kurdo që të thirren. Mos e lini pa e shënuar borxhin, qoftë i vogël apo i madh, duke shënuar edhe afatin e pagimit. Kjo mënyrë është më e drejtë para Allahut, më e saktë për dëshmi dhe më e përshtatshme për të mos dyshuar. Por, nëse është fjala për mallin që qarkullon nga dora në dorë, atëherë nuk do të keni gjynah nëse nuk e shënoni atë. Thirrni dëshmitarë edhe kur të lidhni kontrata për shitblerje dhe të mos dëmtohet as shkruesi, as dëshmitari. Nëse bëni të kundërtën, atëherë keni bërë gjynah, prandaj ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju; Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” (Bekare, 282)

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free