Durim Gerguri
Feja dhe Shkenca

Mrekulli te reja shkencore

MREKULLIA DHE KOMENTIMI I KUR’ANIT NË DRITËN E NJOHURIVE TË REJA SHKENCORE (4)
 
 
All-llahu i madhërishëm në Kur’anin famëmadh urdhëron e thotë:
 
“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt” (Ali Imran, 190)
 
Kur’ani fisnik në këtë verset pasqyron tablonë e qetë të ndikimeve kosmike në vetëdijen e matur, e njëherit i orienton zemrat dhe shikimet e besimtarëve vazhdimisht, në këtë libër të hapur, faqet e cilës shfletohen gjithnjë.
Në këtë univers paraqiten shenja e cila frymon, inspiron dhe mobilizon në natyrën e matur të njeriut ndjenjën për vërtetësi e vendosur në faqet e këtij Libri dhe projektin e kësaj godine, mobilizon dëshirën për përgjigje Krijuesit të multiuniversit. Të mençurit të cilët posedojnë intelekt, hapin sytë për t’i pritur shenjat kosmike të All-llahut. Ata me tërë qenjen e tyre orientohen drejt All-llahut të madhërishëm me sinqeritet, me zemër, në këmbë, ulur dhe të shtrirë.
Sytë u hapen dhe njohin dhe në këtë arrijnë të vërtetën e gjithësisë të cilën e ka krijuar All-llahu Fuqiplotë, njohjen e qëllimin të ekzistimit të gjithësisë, shkakun e krijimit të saj dhe natyrën e saj për nënshtrim; e njohin këtë me frymëzimin i cili bashkon zemrën e njeriut dhe ligjet e kësaj qenësie.
Sikur ta nxjerrnim ndjenjën tonë prej shoqërimit të qetë me natyrën dhe përsëritjes së qetë të kësaj shenje, do të lëkundeshin të gjitha vizionet tona, do të luhateshin ndjenjat tona, do të kuptonim me siguri se pas kësaj harmonie do të ekzistojë një Krijues absolut i cili këtë e sjell në përshtatje, do ta kuptonim që prapa këtij preciziteti duhet të ekzistojnë ligjet tejet madhështore të cilat mbretërojnë dhe i mbrojnë këto mrekulli kosmike.
Teksti kuranor këtu i pasqyron në detaje hapat e lëvizjes psikike të cilat i shkakton orientimi kah skena e qiejve dhe Tokës, kah ndryshimi i natës dhe ditës në ndjenjat e atyre që kanë intelekt.
Teksti njëkohësisht është inspirues dhe pasqyrues.
Ai i orienton zemrat kah programi i drejtë në bashkëpunim me natyrën e gjithësisë dhe vërtetësinë e saj, paraqet përshtypjen e fituar përmes ligjeve dhe inspirimeve kosmike, dhe bën që librat e hapur të gjithësisë të bëhen libër të njohjes për njeriun – besimtarin, njohje e bashkimit me All-llahun dhe atë që e krijon dora e All-llahut.
Kjo bashkon fillimin e orientimit të zemrës kah të përmendurit e zemrës dhe ibadetit ndaj Tij në këmbë, ulur dhe i shtrirë dhë të përsiaturit lidhur me krijimin e qiejve dhe Tokës dhe ndryshimit të natës dhe ditës.
 
 
Të përsiaturit mbi krijesat e All-llahut, të shikuarit e librit të hapur të gjithësisë dhe të soditurit – përcjellja e dorës kreative të All-llahut, lëvizjes së kësaj gjithësie, është ibadet. Sikur të lidheshin njohuritë kosmike të cilat e hulumtojnë esencen e Kosmosit, ligjet e tij, energjinë e tij dhe atë që në kosmos është e fshehur, e fshehur në sekretet dhe fuqitë e tij, sikur të bashkoheshin të gjitha këto njohuri me të kujtuarit e Krijuesit të këtijj kosmosi, me ndjenjën e madhështisë së Krijuesit dhe mirësisë së Tij, përnjëherë kjo do të ndryshonte dhe do të shndërrohej në ibadet ndaj Krijuesit të këtij kosmosi. Jeta do ti fuqizohej në këto shkenca dhe do të orientohej kah All-llahu i madhërishëm.
Simptomet e All-llahut Fuqiplotë në kosmos paraqiten në realitetin e tyre inspirativ, por vetëm për zemrat e njerëzve të devotshëm, të cilët All-llahun e përmendin në këmbë, ulur dhe të shtrirë. Këta njerëz janë ata të cilët persiatin mbi krijimin e qiejve dhe tokës dhe mbi ndryshimin e natës dhe ditës. Këta janë ata të cilët me këtë janë lidhur me programin hyjnor i cili shpie në mirësi dhe shpëtim. Mirëpo, ata që qëndrojnë me duar kryq para fenomeneve të kësaj jete tokësore dhe arrijnë deri te disa fshehtësi të fuqive kosmike, pa këtë lidhje dhe bashkim, e rrënojnë jetën, e rrënojnë vetveten me këto fshehtësi të cilat i kanë arritur, e shndërrojnë jetën e vet në ferr të mjerë dhe shqetësim, i cili njeriut ia zë frymën. Ata përfundojnë me zemrimin e All-llahut dhe dënimin e Tij në fund të bredhjes.
 
“... Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh...”                            (Ali Imran, 191)
 
Nuk e krijove këtë kosmos së koti dhe pa qëllim, por të jetë vërtetësi e ekzistimit të Tij, ndësa vërtetësia është ligj i Tij. Ai nuk është gjë e kotë siç mëtojnë ta paraqesin disa filozofi. Ky kosmos qarkullon sipas një ligji dhe nuk i është lënë anarkisë.
Ky ëshë kontakt i cili në mendjen e të mençurve e ngulit ndjenjen e vërtetësisë origjinare mbi sajimin e këtij kosmosi dhe na zgjidh gjuhët për ta madhëruar All-llahun dhe për ta eliminuar çdo mendim se krijimi i kësaj bote është i pavërtetë.
Pasojnë aktivitetet shpirtërore drejt takimeve të këtij kosmosi dhe frymëzimit të tij:
 
“... ruana prej dënimit të zjarrit. Zoti ynë, atë që Ti e fute në zjarr atë e ke poshtëruar; për mizorët nuk ka ndihmëtar!“     (Ali Imran, 192)
 
Kjo është e çuditshme mbi grupin e ndjenjave të largpamësit. Atëherë zgjidhen gjuhët e tyre, e shprehin këtë dua të gjatë, me devotshmëri, frikë, zë dridhës, i drejtohen All-llahut të madhërishëm me melodi të bukur me ritëm gjegjës dhe ashpërsi të shkretëtirës në rrokje me melodi.
Duhet të përqendrohemi para dridhjes së parë derisa njerëzit janë drejtuar kah Zoti i tyre duke e lutur t’i mbrojë nga denimi dhe zjarri. Duhet të përqendrohemi para fjalëve të tyre:
 
“Zoti ynë, atë që Ti e fute në zjarr, atë e ke poshtëruar; për mizorët nuk ka ndihmëtarë!”
Ali Imran, 192)
 
Këto ethe , të cilat i godasin para se gjithash janë tronditje nga turpi për shkak të mjerimit të cilët e ndiejnë banorët e ferrit. Ata këtë e ndiejnë më fort se djegia e zjarrit.
Këto ethe, kjo tronditje, shkakton tek ata ndjenjë të tmerrshme që ata nuk kanë askë që do t’u ndihmonte, se tiranët nuk kanë ndihmëtarë!
Të gjitha yjet, planetet, dielli, hëna dhe galaktikat janë shenja të All-llahut të madhërishëm. I tërë multiuniversi është libër i hapur i Tij, çdo pjesë e kosmosit është një mrekulli e përsosur hyjnore e cila mahnit të diturit.
Vlen të theksojmë se fjala qiell-tokë (es-semavatu vel erd) përmendet në 81 kaptina të Kur’anit famëmadh. Fjala tokë (erdun) përmendet 453 herë, ndërsa qiell (semaun) 297 herë. Vetëm në kaptinën Bekare qielli dhe toka përmenden 38 herë. Përse?
Që të zbulohen ligjet e përpikta të kosmosit dhe ligjet e përkryera ndërplanetare që i krijoi All-llahu i Plotfuqishëm në harmoni eklantante.
Që shkenca t’i studiojë këto ligje të harmonizuara duke mos e çrregulluar këtë precizitet.
Njeriu si ekzemplar i rëndësishëm i këtij universi, të cilin e krijoi i Gjithëfuqishmi dhe i Gjithëdijshmi për qëllime të larta e fisnike, e mbi të gjitha ta njohë krijuesin e vet, siç bën aluzion verseti kur’anor:
 
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë”. (Edh Dharijat,56)
 
Ngase adhurimi i sinqertë dhe i përkushtuar ndaj All-llahut të madhërishëm e udhëheq njeriun deri në njohuri të vërtetë të Krijuesit.
Pra, sipas kësaj, njeriu është aktivitet kreativ, shprit që pandërprerë përparon, ngritet prej një gjendjeje në gjendje tjetër, siç përkujton verseti kuranor:
“Betohem në kuqrrimin e horizontit pas perëndimit. Dhe në natën dhe çka ajo tubon. Dhe në hënën kur ajo është e plotë. Ju patjetër do të përjetoni gjendje pas gjendjeje.”
 (El Inshikak, 16-19)
 
E gjithë kjo shikuar përmes Kur’anit është njëra nga dëshmitë më të mëdha të All-llahut të madhërishëm, për ata që shohin realitetin dhe se krijimi i qiejve dhe tokës s’është rezultat i ndonjë loje të paqëllim, siç bën aluzion verseti i Kur’anit fisnik:
“Ne nuk i krijuam qiejt e tokën dhe çka ka ndërmjet tyre, pa një qëllim”  (Ed Duhan, 38)
Pra, këtë univers, të krijuar nga Mjeshtri i Përsosur, ia la premtim dhe nënshtrim njeriut, detyra e të cilit është të mendojë, meditojë dhe të përsiatë mbi shenjat, dëshmitë dhe faktet e All-llahut të madhërishëm, kështu që, në këtë mënyrë t’i sigurojë vetes mjete për ngadhënjim dhe fitore të vijueshme mbi kozmosin si faktor konkret e real e njëherit imperativ i Kur’anit famëmadh:
 
“Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe diellin e hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhërin e Tij. Vërtetë, në këto ka argumente për një popull që mendon.” (En Nahl, 12)
 
 
Njerëzit gjithmonë janë fascinuar nga mijëra drita vezulluese që spërkaten në qiellin e natës. Prej planetit tonë me sy të thjeshtë mund të shohim afro 6000 yje.
Sipas shkencëtarëve, drita e diellit është 3000 trilion qirinj, ndërsa e yllit Sirius, 26 herë më e fortë. Ka yje të largëta që kanë dritë 100-500 herë më të fuqishme se Dielli.
Para katërmbëdhjetë shekuj Kur’ani fisnik e drejton njerëzimin kah e vërteta!
 
“As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën, as nata para ditës, por secili noton në një galaksion.”
(Jasin, 40)
Këtu dukshëm qëndron fakti esencial, d.m.th. ekzistimi i orbitave solare dhe lunare, të cilat i konfirmon astronomia moderne.
Kur’ani famëmadh flet për Diellin, Hënën dhe dobitë e tyre për njerëzit, jo vetëm si burime të dritës, por edhe batica dhe zbatica e valëve bregdetare bëhet nën ndikimin e Hënës.
Lexojmë me vëmendje versetin e Kur’anit fisnik:
 “Dhe për ju nënshtroi natën e ditën dhe Diellin e Hënën, dhe yjet janë të nënshtruar më urdhërin e Tij. Vërtetë, në këto ka argumente për një popull që mendon”.
 (En Nahl, 12)
 
Njëherit Dielli dhe Hëna shërbejnë si çështje
referimi për kozmosin dhe për të njehsuar kohën (muajt solarë dhe lunarë):
 
“Ai e bëri Diellin shëndritës, e Hënën dritë dhe asaj (Hënës) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. All-llahu nuk e krijoi këtë për tjetër, pos me qëllim të caktuar. Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton”.
 (Junus,5)
 
Edhe afati i Diellit është i përcaktuar. Kur’ani i lavdishëm në këtë çështje është eksplicit:
 
“Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhënjyesit,të Dijshmit”.
 (Jasin, 38)

30

 
Dielli është i mbushur përplot me gazra të përbërë nga dy mijë trilion tonelata (2x10 ) materie së bashku me mbeturinat e elementeve tjera.

 

Për secilin milion atome të hidrogjenit ka afër 85.000 atome të heliumit dhe vetëm përafërsisht 1000 atome të elementeve të tjera. Një varg reaksione fuzive nukleare, të cilat vezullojnë shndërrimin e hidrogjenit në helium ngjajnë në një shkallë shumë të lartë duke liruar sasi shumë të mëdha të energjisë në formë të nxehtësisë, dritës, x-rrezeve etj.
Kur temperatura e brendshme do të arrijë 100 milion Kelvin, heliumi (i prodhuar nga ndezja e hidrogjenit) vetvetiu do të fillojë të ndizet. Kjo do të ngjajë shpejt, duke formuar bërthamë karbonike. Rreth kësaj bërthame të ndezur nga jashtë do të fillojë ndezja e heliumit, e më tej do të fillojë të ndizet edhe cipa e hidrogjenit.
Energjia e madhe e liruar nga këto dy cipa do t’i shtyjë përtej shtresat e jashtme të Diellit, derisa të arrijë orbitën e Jupiterit.
Astronomët e ditëve të sotme kanë llogaritur se Diellit i kanë mbetur edhe 4,5 milion vite deri në fund. Saktësinë e di më së miri Krijuesi i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. Këtë që do të ndodhë me diellin na përkujton verseti kuranor në kaptinën e palosjes:
 
“Kur dielli të jetë mbështjellur (errësohet) Dhe kur yjet të kenë rënë (e shkapërderdhur)
(Et Tekvir, 1-2)
Dhe atëherë do të ndodhë dita e Kijametit (kataklizmës) dhe natyrisht Diellit do t’i vijë fundi i tij (mustekarr):
 
 
“Kur është dita e kijametit?” E, kur të merren sytë (të parët)? E, të zëhet Hëna (errësohet). Dhe të bashkohet Dielli e Hëna”. (El Kijame, 6-9)
Pra, All-llahu i Gjithëfuqishëm, e këshillon njeriun që t’a zgjërojë diapazonin e hulumtimeve njerëzore duke e udhëzuar në përsiatje dhe në të menduarit mbi “tërë pushtëtin e madh në qiej e në tokë”.
Andaj rezultati dhe qëllimi i hulumtimit në Tokë e në qiej, si dhe në tërë atë që ekziston duhet të jetë njohuria mbi Krijuesin, sepse në të kundërtën gjithë studimet dhe argumentet dhe porositë të cilat i theksoi All-llahu i madhërishëm në Kur’an, do të jenë të padobishme, siç thotë vetë Kur’ani famëmadh:
“Thuaj: Vështroni me vëmendje çka ka (nga argumentet) në qiej e në tokë. Po argumentet dhe qortimet nuk bëjnë dobi ndaj një popull që nuk beson”.          (Junus, 101)
 
Prandaj, udhëzimet kuranore duhet t’i kuptojmë si nxitje për lartësim shpirtëror e mendor, njëherit edhe shkencor.
Në kaptinën “Ylli ndriçues” (Et Tarik), All-llahu i madhërishëm na përkujton një verset tejet interesant për shkencën bashkëkohore:
 
“Pasha qiellin që rikthen. Edhe tokën që zbërthen”.            (Et Tarik, 11-12)
 
Sot dihet, se përveç avullit të cilën qielli e rikthen në shi, qielli rikthen radiovalët, rrezet infra të kuqe, valët elektromagnetike, jonet pozitive dhe negative etj. Ndërsa toka zbërthen farën e bimës, nga ajo del nafta, burimet termale dhe minerale si dhe vullkanet.
All-llahu i madhërishëm në Kur’anin e lavdishëm urdhëron e thotë:
 
“A nuk e bëmë Ne tokën të përshtatshme (për jetë)?” (En Nebe’ë, 6)
 
Shkenca konfirmon se toka sillet rreth boshtit
të vet për 24 orë, rreth diellit për 365 ditë.
 
Rrotullimi i saj është eliptik (fjala arabe
“dehjun” do të thotë formë vezake) me shpejtësi afro njëmijë mila në orë, ndërsa rreth diellit me shpejtësi 65 mijë mila dhe nën këndin 23°.
Shkencëtarët njoftuan se sikur shpejtësia e tokës të ishte më pak se njëmijë mila në orë, dita do të zgjatë 120 orë, dhe të lashtat do të zhdukeshin.
Sikur forca e fracitacionit të ishte më e vogël do të zhdukej oksigjeni, detrat do të shkonin në pole, ndërsa ne do të fluturonim . Sikur këndi i tokës, i cili është 23°, të ndryshohej për një shkallë, nuk do të kishte fare stinë të vitit, qendra e tokës do të shndërrohej në shkretëtirë, ndërsa polet do të mbuloheshin përherë me dëborë.
Nëse e krahasojmë p.sh. me Marsin, për të cilin disa menduan se ka jetë në të, shkencëtarët zbuluan se Marsi është larg nga dielli 142 milion mila dhe se temperatura gjatë ditës memzi arrinë disa shkallë mbi zero, ndërsa natën arrinë 70° nën zero. Ndërsa në planetin tjetër – Jupiteri , në të cilin temperatura gjatë natës është 130° nën zero jeta është e pamundur. Pra, All-llahu i madhërishëm, nënën Tokë e bëri të përshtatshme me të gjitha kushtet optimale dhe fiziologjike për jetën e njeriut.
Kur’ani famëmadh insiston në udhëtim dhe vëzhgim, e nga këto të mësohet dhe të përfitohen njohuritë, traditat dhe përvoja.
Lexojmë me vëmendje versetet kuranore:
 
 “Thuaj: Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si ishte përfundimi i kundërshtarëve!”(En Neml, 69)
“Thuaj: Udhëtoni nëpër tokë dhe shikoni se si filloi krijimi...”     (El Ankebutë, 20) 
 
 
 
Nëse ndalemi para këtij konstrukti kur’anor, e para që bie në sy është përdorimi i prepozicionit “fi” që do të thotë përveç tjerash “në – nëpër”. Lexuesi i mirëfilltë në bazë të përvojes së fituar do të konstatojë se njeriu ec, udhëton mbi tokë (alel erd), mbi sipërfaqen e saj. Prandaj, logjikisht do të ishte sikur të thuhej “Udhëtoni mbi tokë”
Por, nëse me vëmendje kundrojmë, meditojmë dhe studiojmë dhe All-llahu i madhërishëm na zbuloi në këtë shekull astronomik fshehtësitë e tokës dhe kozmosit, lehtë do të konkludojmë se toka përbëhet nga disa sfera (hidro, lito dhe stratosfera). Përveç kësaj prepozicioni “fi”, sipas kuptimit të tij semantik tregon në përshkrim, depërtim, mban vijën horizontale dhe vertikale, hedh diagonalet para dhe pas, hyn në brendi të gjërave e të tjera.
“Fi – ja” na fton t’i kthehemi të kaluarës që ta ndërtojmë të ardhmen, përkatësisht që çdo gjë ta vëmë në shërbim të perspektivës më fatlume, më të ndritshme të progresit njerëzor.
Me qëllim që të përfitojë njohuri të plotë mbi botën, jetën dhe qëlimin e jetës njërëzore në tokë,All-llahu fuqiplotë, njeriun si krijesë më të përsosur dhe si mëkëmbës në tokë e udhëzon në udhëtim dhe hulumtim të pandërprerë.
Njëkohësisht, Kur’ani i Lavdishëm, bën edhe pyetje se për çfarë arsyeje njeriu nuk merr mësim dhe përvojë nga argumentet e shumtë që ekzistojnë në Tokë, qiej dhe vetë njeriun.
Pyetja mbi fillimin e jetës në Tokë, është aq e lashtë,sa edhe vet gjinia njerëzore. Kjo pyetje e ka preokupuar njeriun vazhdimisht dhe ai bën përpjekje kolosale që mbi këtë çështje të ofrojë pëgjigje. Nga tërë kjo lindën një mori teorish, supozime, hipoteza dhe mendime të ndryshme.
Besimtarëve, kjo pyetje nuk iu paraqet kurrëfarë problemi sepse besojnë në All-llahun e Plotfuqishëm i cili është krijues i çdo sendi, siç bën aluzion verseti kuranor:
 
 “... Thuaj: All-llahu është krijues i çdo sendi, Ai është i vetëm ngadhënjyes!”      (Er Rra’d, 16)
 
E atyre që nuk besojnë në krijimtarinë e All-llahut të madhërishëm, iu paraqitet çdo herë, kjo pyetje si një problem me opus të gjërë dhe i pazgjidhur.
O Zot Hirëmadh, na bën prej atyre që i lexojnë dhe vështrojnë ajetet Tua, që i ke pikturuar me mjeshtri të përsosur në faqet e Librit të Gjithësisë!
 
- vijon –